Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm. Kjo po dëshmohet sidomos javëve të fundit me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra të dyshuarve gjithandej vendit.
Lojëra të tilla dyshohet se organizonte edhe një person në Skenderaj, lokali i të cilit u bastis mbrëmë nga Policia.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit është kapur një punëtor i lokalit duke shtypur tiketa të kundërligjshme.
Aksioni ka rezultuar me konfiskimin e pajisjeve që shërbenin për të kryer veprimtarinë e jashtligjshme, teksa në pranga ka përfunduar pronari i lokalit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet për veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’.
Sinjali