Ndeshja e mbetur e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë prej orës 13:00. Ky takim ishte shtyrë për shkak se Llapi zhvilloi ndeshjen e Superkupës “Kosovë-Diasporë” javën e kaluar.
Llapi dhe Dukagjini nuk fituan në fundjavë. Llapjanët humbën derbin kundër Prishtinës në kryeqytet (2:0) dhe aktualisht janë në pozitën e gjashtë me 13 pikë nga 11 ndeshje. Dukagjini ndali në barazim kampionin në fuqi, Ballkanin (1:1). Klinasit kanë nëntë pikë dhe zënë vendin e parafundit (9).
Dueli i parë i këtij sezoni i luajtur në Klinë kishte përfunduar me rezultatin 1:1. Në vizitën e fundit në “Zahir Pajaziti”, Dukagjini kishte fituar 2:1 kampionatin e kaluar.
Portieri i Llapit, Ilir Avdyli, tha se në çdo ndeshje në “Zahir Pajaziti” hyjnë për fitore.
“Llapi në Podujevë në çdo ndeshje kërkon fitore, pavarësisht kundërshtarit. Edhe në ndeshjen kundër Dukagjinit hyjmë për të arkëtuar pikë të plota. Atmosfera te Llapi është shumë e mirë. E kemi përgatitur ndeshjen. Dukagjini është një kundërshtar shumë i papërshtatshëm, por Llapi me përbërjen që ka beson te fitorja”, tha Avdyli.
Mesfushori i Dukagjinit, Met Millaku, thotë se në Podujevë do të udhëtojnë për rezultat pozitiv.
“Do të jete një ndeshje e rëndësishme për ne, sikurse të gjitha ndeshjet që na presin. Skuadra ka treguar se mund të arrijë rezultatet pozitive edhe si mysafire, e po ashtu edhe ndaj kundërshtarëve të fortë. Atmosfera te Dukagjini është shumë e mirë, si çdoherë. Jemi përgatitur maksimalisht për duelin ndaj Llapit. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por besoj që kemi ekip cilësor për të kërkuar dhe për të arritur rezultat pozitiv edhe ne Podujevë”, tha Millaku.
Llapi ka vetëm një fitore në shtëpi këtë sezon. I ka luajtur katër ndeshje. Ka arritur dy barazime dhe ka pësuar humbje nga Prishtina.
Dukagjini nga pesë ndeshje si mysafir ka një fitore kundër Prishtinës një barazim dhe ka pësuar tri disfata.