Lladrovci pret në takim Fadil Millakun, përmend shumë arsye pse duhet votuar si deputet!

Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës së Drenasit, ka pritur në takim Prof. Dr. Fadil Millakun, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kuvendin e Kosovës. Gjatë këtij takimi, ata rikujtuan periudhën e okupimit në Fakultetin e Bujqësisë, demonstratat, burgosjet dhe atdhetarizmin e studentëve dhe stafit akademik.

Lladrovci vlerësoi lart kontributin e Prof. Millakut si shkencëtar i përkushtuar dhe ekspert i botanikës, duke theksuar se ai ka edukuar 40 gjenerata studentësh, është autor i shumë librave dhe qindra artikujve shkencorë, si dhe ka shërbyer si prorektor dhe rektor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Drenasit të mbështesin Prof. Millakun, i cili mban numrin 57 në listën e PDK-së, duke e cilësuar atë si një shkencëtar, pedagog dhe atdhetar të mirënjohur që do të kontribuojë në platformën “Kosova mundet ma mirë” me Bedri Hamzën si kryeministër.

“Pres që përkrahja e qytetarëve të komunës së Drenasit për Prof. Fadilin të jetë domethënëse, për kontributin e tij si shkencëtar, si profesor i profesorëve dhe mik shembullor,” shkroi Lladrovci në rrjetet sociale.