Kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq ka bërë të ditur se për të shtunën ka caktuar një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës.
Mësohet se atyre do t’u propozojë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke filluar nga ai personalisht, e duke përfunduar me serbët e vetëqeverisjes lokale, prokuroria, gjykata, policia dhe të gjitha autoritetet e tjera.
Rakiq u bëri thirrje mbledhjen duke pasur parasysh, siç e quajti ai, vendimin e fundit të suspendimit të drejtorit të Drejtorisë Rajonale Veri, Nenad Gjuriq.
“… për shkak se ai nuk pranoi të paralajmëronte bashkëqytetarët e tij për posedimin e targave të ligjshme KM, dhe të cilën kryesia e Listës Serbe dhe të gjithë kryetarët e komunave nga veriu e mirëpritën dhe e përkrahën dje”, thuhet në njoftimin e Rakiqit.
Ndryshe, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, Nenat Gjuriq, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.