Lista me emrat e të arrestuarve për fajde, konfiskohen vetura luksoze, mijëra euro e armë

Aksionit policor të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë kundër fajdes që rezultoi me arrestimin e pesë personave dhe konfiskimin e veturave, armëve e sendeve të tjera me vlerë i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me aplikimin e masave të fshehta.

Operacioni i zhvilluar sot ka pasur cak një numër të caktuar të të dyshuarve të përfshirë në veprimtari kriminale. Sinjali ka mësuar ekskluzivisht identitetin e të arrestuarve që u kapën sot, gjatë bastisjeve në 10 lokacione, teksa dy persona të tjerë të përfshirë në këtë rast janë ende në arrati. (Emra të njohur për redaksinë, që nuk do të publikohen deri me rastin e arrestimit).

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin listën me emrat e pesë të arrestuarve, nga mosha 38 deri në 55-vjeç, të cilët tashmë janë ndaluar për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Gjatë bastisjeve të zhvilluara, Policia ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë rreth 20 automjete, numri më i madh i tyre vetura luksoze si Mercedes e Porsche, rreth 5 armë, 10 mijë euro, e pajisje të ndryshme elektronike, që do të shfrytëzohen si prova relevante për rastin.

Përveç provave materiale, burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tashmë është një listë e personave që kanë dëshmuar si viktima, të cilët kanë rënë pre e të dyshuarve që janë marrë me veprën penale të fajdes.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, gjendjen e rëndë të banimit, varfërinë, papërvojën ose paaftësinë për të gjykuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Ndërsa nëse rezulton me humbje financiare në shumë prej më tepër se dhjetëmijë (10.000) Euro ose nëse kryesi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon dhjetëmijë (10.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Të arrestuarit për këtë rast përveç kësaj vepre penale, do të hetohet edhe për “Mbajtje në kontroll ose posedim i pa autorizuar i armës”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali