Pos milionave që mori nga UEFA për kampanjën e suksesshme në Ligën e Konferencës, Ballkani ka përfituar jo pak edhe nga Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Nga marrëveshjet e sponsorizimit, Ballkani në vitin 2022 ka përfituar 684 mijë euro. Të dhënat zyrtare janë prezantuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për KOHËN.
Ballkani është klubi i Superligës që edhe vjet ka përfituar më së shumti nga marrëveshjet e sponsorizimit. Por dukshëm më tepër ka përfituar në vitin 2021, plot 899 mijë euro. Në vitin 2021 nga marrëveshja me kompaninë “Cima” kishte përfituar 400 mijë euro. Këtë kompani e udhëheq pronari i Ballkanit, Arsim Kabashi. Në vitin 2022, sipas të dhënave zyrtare, Ballkani nuk ka marrëveshje sponsorizimi me kompaninë “Cima”. Madje kjo kompani nuk është paraqitur si sponsorizuese.
Nga ligji për sponsorizim klubet dhe federatat sportive përfitojnë nga viti 2020. Shifra ka shkuar duke u rritur me të madhe. Vjet nga marrëveshjet e bazuara në këtë ligj janë ndarë mbi nëntë milionë euro për sportin. Por ka dilema nëse të gjitha paratë kanë shkuar në adresën e duhur – te sportistët, sidomos ata të vendit.
Prej klubeve të Superligës në futboll, nga marrëveshjet e sponsorizimit goxha mirë është ndarë edhe Prishtina. Vjet Prishtina ka realizuar marrëveshje për 505 mijë euro. Klubet e tjera elitare të futbollit kanë përfituar dukshëm më pak. Malisheva ka realizuar marrëveshje për 186 mijë e Ferizaj për 177 mijë euro. Drenica po ashtu ka punuar mirë duke u bazuar në këtë ligj, duke siguruar nga marrëveshjet e sponsorizimit 158 mijë euro.
Klubet gjilanase, Drita e Gjilani nga sponsorizimi kanë pak të hyra. Drita në vitin 2022 ka arritur marrëveshje për 70 mijë euro, ndërsa Gjilani për 50 mijë. Llapi ka përfituar 92 mijë euro e Trepça ’89, 47 mijë euro. Dukagjini ka mbetur dukshëm më prapa, duke përfituar nga marrëveshjet e sponsorizimit vetëm 9.200 euro.
Pra, gjithsej klubet e Superligës kanë përfituar më pak se dy milionë euro, që është rreth një e pesta e shumës që shkoi për sport. Dukshëm më tepër se klubet e futbollit kanë përfituar klubet e basketbollit.
Në bazë të Ligjit për sponsorizim, sponsorizuesve u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim. Ligji vlerësohet shumë i favorshëm për sportin, por ka dyshime nëse mbikëqyrja është e duhura.
Në listën e 700 marrëveshjeve për sponsorizim ka edhe plot klube të futbollit që kanë përfituar. Por të niveleve më të ulëta.
Për shembull, Minatori i Magurës ka përfituar plot 24 mijë euro nga një marrëveshje. Dinamo e Ferizajt ka shumë marrëveshje që, sipas të dhënave zyrtare, vjet i sollën 49 mijë euro.
Kanë përfituar shumë edhe klubet e futsallit e po ashtu klubet e futbollit të femrave.