Është liruar nga paraburgimi njëri nga tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan të Deçanit në fund të muajit nëntor.
Njëri nga tre të arrestuarit është liruar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka mësuar mediumi Online Paparaci.
Më 12 dhjetor të vitit të kaluar është arrestuar H.M. dhe dy djemtë e tij, K. dhe M. M. nga Gllogjani.
Në ditën e arrestimit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, tregoi se arrestimet janë kryer pas disa bastisje në disa lokacione të caktuara në lidhje me këtë ngjarje. Të arrestuarve u është konfiskuar një pistoletë dhe një pushkë kallashnikov.
Dyshohet se motivi i sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, ku u vranë tre persona, lidhet me vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, H. M., e cila i dha fund jetës së saj në qershor të vitit 2020.
Mbrëmjen e 26 nëntorit, tre persona – në mesin e tyre dy nxënës – mbetën të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit – rreth 100 kilometra larg Prishtinës.