Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademajt të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi vendin.
Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia kishte njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për rastin.
Bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, Granit Plava – i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”, si dhe Kushtrim Kokalla si personi i tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në një dokument që ka siguruar KosovaPress, konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc në një gjykatë suedeze.
Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, pasi që brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorci
Për këtë, Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të ndërprerë çështjen nga procedimi i mëtejshëm.
“Më 31 janar 2019, Liridonë Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci. Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit. Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në dokumentin që ka parë KosovaPress.