Për herë të parë çështja e pagave po rregullohet me ligj. Në fillimi të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.
Edhe pse ligji për paga është miratuar më 2 shkurt të këtij viti, punëtorët e sektorit publik ende nuk kanë marrë pagat me rritje.
Kjo pasi ende nuk janë bërë nëntë muaj nga publikimi në Gazetën Zyrtare, kur edhe bëhet i plotfuqishëm.
Në Ministrinë e Financave kanë treguar se ligji për paga nuk do të hyjë në fuqi deri më 1 dhjetor.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në dorëheqje, Bedri Hamza, ka thënë se ligji i ri i pagave do të nisë së zbatuari në dhjetor.
Paga jo fort të larta, do të ketë policia e Kosovës. Në këtë sektor paga bazë nisë me 239 euro, të cilat pritet t’i kenë kadetët policor, ose koeficientin 1, pastaj, polici i ri pagën bazë do ta ketë 454 euro, ose koficinetin 1.9, polici koeficientin 2, ose 478 euro, polici i larët 525 euro, rreshteri 573 euro, togeri657 euro, etj.
Megjithëkëtë, Shaban Tasholli, nënkryetar i sindikatës së Policisë së Kosovës thotë se janë pajtuar me këtë situatë, ndonëse sipas tij, pagat për policinë kanë mbetur të ulëta.
Ky ligj pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij Ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin vjetor të Buxhetit”, thuhet në nenin 23 të Ligjit.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10. Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale. Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht.
Ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70 për qind të pagës edhe pas përfundimit të mandatit.
Ministri i Financave Bedri Hamza në një deklarim të më hershëm kishte thënë se me Ligjin e Pagave nuk do të do të lejohet që të ketë efekt në uljen e shpenzimeve kapitale.
Megjithëkëtë, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukqi ka dhënë disa arsye pse ky ligj është i dëmshëm për sektorin privat.
Ai ka thënë se me rritjen e pagës po rritet edhe më shumë burokracia, pra nuk po ka rritje të produktivitetit të fuqisë punëtore në sektorin publik.
Numri i punëtorëve që paguhen nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë dhe paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2018 ishte 573 euro. Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.
“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8 për qind. Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012 u rrit në 509 euro apo një rritje prej 156 eurosh ose 44.1 për qind. Sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh ose 9.3 për qind”, thuhet në raportin mbi nivelin e pagave të prezantuar nga ASK.
Lidhur më nivelin e pagës minimale, një punëtor në Kosovë që është i moshës nën 35 vjeç paguhet me 130 euro, kurse ata që janë mbi këtë moshë paguhen me 170 euro/