LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – DEGA NË KLINË PJESË NGA PROGRAMI I QEVERISJES LOKALE 2021 – 2025

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – DEGA NË KLINË
PJESË NGA PROGRAMI I QEVERISJES LOKALE 2021 – 2025

IV. FINANCA DHE ZHVILLIMI EKONOMIK
4.1. Financat
Komuna, bazuar në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal dhe në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ka të drejtë të kenë burime të mjaftueshme financiare me të cilat mund të disponojnë lirshëm gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre komunale në përputhje me ligjet e zbatueshme të Republikës së Kosovës. Megjithatë, për një menaxhim të duhur të buxhetit komuna duhet të ketë një personel profesional dhe t’i kushtojë rëndësi të lartë konceptit të transparencës dhe llogaridhënies. Aktualisht buxheti i Komunës së Klinës është 10,658,264.00 euro, me një parashikim të buxhetit për vitin 2022 me 11,333,332.00 euro, si dhe me parashikim rritjeje për vitin 2023 me 12,071,965.00 euro dhe për vitin 2024 me 12,650,516.00 euro.
Qëllimet:
LDK-ja gjatë mandatit të saj 4 vjeçar synon që në fushën e financave të arrijë këto qëllime:
1. Përgatitje dhe planifikim të buxhetit komunal mbi bazën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, dhe me pjesëmarrje të sa më shumë qytetarëve gjatë gjitha fazave të përgatitjes se buxhetit;
2. Vazhdimin e transparencës së plotë financiare;
3. Vazhdimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve, OJQ-ve, mediave dhe palëve të tjera të interesit në fushën financiare;
4. Vazhdimin e uljeve të shpenzimit të financave publike për nevojat e personelit të administratës komunale;
5. Rritjen e efikasitetit te inkasimit të të hyrave vetanake në masën deri 10% për çdo vit, si dhe zbritjen në masën prej 10% për çdo vit të tatimeve në fushën e veprimtarisë afariste;
6. Rritjen e vazhdueshme e shpenzimeve kapitale dhe efikasitetit të këtyre shpenzimeve në drejtim të rritjes së mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve;
7. Krijimin e bazës ligjore në pajtim me kompetencat e pushtetit lokal për stimulim të ndërmarrjeve të reja, veçanërisht atyre prodhuese dhe atyre që krijojnë vende të reja të punës;
8. Lehtësimin e mëtutjeshëm të procedurave administrative rreth regjistrimit të ndërmarrjeve të reja;
9. Përmirësimi i të gjitha shërbimeve administrative për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zvogëlim gradual të taksës për ushtrimin e veprimtarisë afariste për bizneset e Klinës;
10. Publikimin e listave me prona të komunës si dhe bartja e pronave shoqërore në regjistrat kadastral të komunës.
Mjetet për arritjen e qëllimeve:
LDK-ja synon që qëllimet në kuadër të financave publike të arrihen përmes:
1. Respektimit të dispozitave ligjore për hartimin e buxheteve komunale dhe përfshirjen e një numri sa më të madh të qytetarëve dhe palëve të interesit në të gjitha proceset e hartimit të buxheteve;
2. Vazhdimit të respektimit në përpikëri të Rregullores dhe Planit të Veprimit për Transparencë Komunale;
3. Raportimit të rregullt, çdo tre muaj, mbi të hyrat dhe shpenzimet financiare para anëtarëve të kuvendit të komunës dhe qytetarëve;
4. Vazhdimit të uljes së shpenzimeve financiare për shërbimet administrative jo esenciale;
5. Zbatimit në përpikëri të dispozitave ligjore mbi realizimin e të hyrave vetanake, me qëllim që të njëjtat të hyra të përkthehen në investime kapitale në tërë territorin e komunës së Klinës;
6. Rritjes së vijës buxhetore për investime kapitale;
7. Bashkërendimit me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në krijimin e bazës ligjore për stimulim të ndërmarrjeve të reja dhe atyre prodhuese;
8. Rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të personelit të Drejtorisë së Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit në lehtësimin e mëtutjeshëm të procedurave administrative rreth regjistrimit të ndërmarrjeve të reja, si dhe të përmirësimit të të gjitha shërbimeve administrative për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
9. Bashkërendimit të ngushtë me Drejtorinë Komunale për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë për publikimin e listave me prona dhe për bartjen e pronave shoqërore në regjistrat kadastral.
4.2. Zhvillimi ekonomik
Komunat dhe kryetari i komunës kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive në kuadër të zhvillimit ekonomik lokal dhe të propozimit të planeve investuese, bazuar në standarde të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Zhvillimi ekonomik lokal është bazë për një jetë me dinjitet për qytetarët të cilët jetojnë në një territor të caktuar të një komune, përmes së cilit zhvillim atyre iu ofrohen shërbimet cilësore në disa fusha, sidomos në fushën e krijimit të vendeve të punës, administratës, arsimit dhe shëndetësisë.
Qëllimet:
Në kuadër të vazhdimit të zhvillimit ekonomik të komunës së Klinës, qeverisja e LDK-së do të ndërmarrë këta hapa:
1. Përkrahje për fushën e ndërmarrjes, sidomos për ndërmarrësit e rinj dhe gratë ndërmarrëse;
2. Lehtësimin e mëtutjeshëm të procedurave për bizneset në fushën e operimit të tyre;
3. Krijimin e kushteve të favorshme për investimet nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgatë;
4. Tërheqje e investimeve nga qeveria qendrore në fushën e zhvillimit ekonomik;
5. Tërheqje e investimeve dhe donacioneve të huaja në fushën e zhvillimit ekonomik.
Mjetet për arritjen e qëllimeve:
LDK-ja synon që qëllimet në kuadër të zhvillimit ekonomik të arrihen përmes:
1. Gjithpërfshirje të fushës dhe palëve ndërmarrëse në hartimin e politikave publike në interes të tyre;
2. Përgatitjen, që në vitin e parë të qeverisjes, të një plani për lehtësimin e mëtutjeshëm të procedurave për bizneset në fushën e operimit të tyre;
3. Organizimin, që në vitin e parë të qeverisjes, të një konference lokale me biznese të bashkatdhetarëve tanë, me qëllim të vlerësimit të mundësive për investime në territorin e komunës së Klinës, si dhe caktimin e një zyrtari për mërgatën pranë Drejtorisë së Kulturës;
4. Përgatitje e planeve dhe projekteve profesionale në fushën e infrastrukturës për të tërhequr investime nga qeveria qendrore;
5. Përgatitje e planeve dhe projekteve profesionale për të tërhequr investime nga kompani të huaja, dhe zhvillim profesional të administratës komunale për të përfituar nga donacione të huaja.

V. URBANIZMI DHE MBROJTJA E MJEDISIT
5.1. Urbanizmi
Urbanizmi dhe mbrojtja e mjedisit janë dy fusha tejet të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm infrastrukturor të komunës së Klinës dhe për ruajtjen e natyrës dhe shëndetit në kuadër të mbrojtjes së mjedisit. Një rregullim i hollësishëm i këtyre dy fushave do ta përmirësonte dukshëm jetën e qytetarëve, do të mundësonte një zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik të komunës, si dhe do të paraqiste një kontribut të rëndësishëm për të gjithë Republikën në kuadër të integrimeve në Bashkimin Evropian ku kërkohet me ngulm respektimi i normave ligjore në fushën e rregullimit urbanistik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Kuvendi i komunës së Klinës ka aprovuar Hartat Zonale për territorin e komunës së Klinës për periudhën 2020-2028. Megjithatë, duke e pasur parasysh që territori i komunës së Klinës paraqet një nyje të rëndësishme të transportit rrugor dhe hekurudhor, përmes së cilit lidhen disa qytete të Republikës së Kosovës (transporti rrugor Istog, Pejë, Gjakovë, Malishevë e Skënderaj dhe transporti hekurudhor Pejë, Prizren dhe Drenas), atëherë është më se e domosdoshme edhe përgatitja e Planit Rregullues të Hollësishëm për tërë territorin e komunës së Klinës.
Në kuadër të kësaj pjese të urbanizmit është përgatitur një shtojcë, e cila i është bashkëngjitur këtij programi dhe e cila përmban kërkesat dhe nevojat e qytetarëve në kuadër të investimeve kapitale.
Qëllimet:
Në kuadër të urbanizmit dhe zhvillimit urbanistik të territorit të komunës së Klinës, qeverisja e LDK-së do të ndërmarrë këta hapa:
1. Zgjidhjen e përhershme e çështjes së ujit të pijes me burim nga fabrika e ujit;
2. Ndërtimin e ngrohtores për qytetin e Klinës;
3. Përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore me qendrat dhe komunat fqinje të Klinës;
4. Formimin dhe urbanizimin e lagjeve të reja në qytet bazuar në legjislacionin ekzistues në nivel lokal dhe qendror dhe planifikimin hapësinor mbi bazën e Hartave Zonale të Komunës;
5. Shkarkimin e komunikacionit nga qendra e qytetit të Klinës përmes ndërtimit të rrugëve anësore, gjegjësisht krijimit të unazave, që do ta shkarkojnë dhe lehtësojnë qarkullimin e automjeteve nga brendia e qytetit;
6. Përmirësimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të rrugëve në fshatra dhe lagje të fshatrave për lehtësim të lidhjeve me qendrën komunale dhe anasjelltas;
7. Zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik dhe instalimin e pajisjeve për prodhimin e energjisë së pastër në të gjitha institucionet publike;
8. Përfundimin e çerdhes publike tek “Ura e Haxhisë”;
9. Trajtimin ei çështjes së ndërtimeve pa leje deri në vitin 2018;
10. Rregullimin e rrjetit elektrik në bashkëpunim me KEDS-in.
Mjetet për arritjen e qëllimeve:
LDK-ja synon që qëllimet në kuadër të urbanizmit dhe zhvillimit urbanistik të territorit të komunës së Klinës të arrihen përmes:
1. Arritjes së marrëveshjes me komunën e Istogut për lidhje mes sistemeve të ujit të pijes të të dy komunave dhe furnizim të sistemit të ujit të pijes për komunën e Klinës;
2. Bashkëfinancimit në mes të komunës së Klinës dhe mekanizmave ndërkombëtarë për ndërtimin e ngrohtores së qytetit;
3. Investimit nga vija buxhetore e investimeve kapitale në përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore të qendrës së qytetit me fshatrat e komunës;
4. Zbatimit të Hartave Zonale në kuadër të ndërtimit të lagjeve të reja në qytet, duke i përfillur me përpikëri dispozitat ligjore për ndërtimin e të njëjtave;
5. Investimit nga vija buxhetore e investimeve kapitale për shkarkim të komunikacionit në qendrën e qytetit të Klinës;
6. Investimit nga vija buxhetore e investimeve kapitale për përmirësimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të rrugëve në fshatra dhe lagje të fshatrave;
7. Investimit nga vija buxhetore e investimeve kapitale për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik;
8. Vlerësimit të punimeve të deritanishme dhe investim nga vija buxhetore për investime kapitale në përfundimin e punimeve për çerdhen publike tek “Ura e Haxhisë”;
9. Trajtim të drejtë, profesional dhe sipas dispozitave ligjore në fuqi, të ndërtimeve pa leje deri në vitin 2018;
10. Bashkërendim me kompaninë KEDS për mirëmbajtjen dhe shtrirjen e rrjetit elektrik në ato vende ku është e nevojshme.

5.2. Mbrojtja e Mjedisit
Qëllimet:
Në kuadër të mbrojtjes së mjedisit qeverisja e LDK-së do të ndërmarrë këta hapa:
1. Ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza për qytetin e Klinës dhe për një pjesë dërrmuese të fshatrave për t’u lidhur me të njëjtin impiant;
2. Zgjerimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza dhe funksionalizimin e të njëjtit rrjet, si dhe zgjerimin e rrjetit për grumbullimin e mbeturinave;
3. Vazhdimin e projekteve për rregullimin e shtratit të lumenjve dhe shëtitoreve për këmbësorë;
4. Përcaktimin dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura.
Mjetet për arritjen e qëllimeve:
LDK-ja synon që qëllimet në kuadër mbrojtjes së mjedisit të arrihen përmes:
1. Bashkëfinancimit në mes të komunës së Klinës dhe donatorëve ndërkombëtarë për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza për qytetin e Klinës;
2. Investimit nga vija buxhetore e investimeve kapitale, për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza, si dhe bashkërendim me kompaninë rajonale për grumbullimin e mbeturinave për zgjerimin e rrjetit;
3. Investimit nga vija buxhetore e investimeve kapitale, për vazhdimin e projekteve për rregullimin e shtratit të lumenjve dhe shëtitoreve për këmbësorë;
4. Bashkërendimit me Drejtorinë Komunale për Bujqësi me qëllim të përcaktimit dhe rritjes së zonave të gjelbra sipas Hartave Zonale dhe pyllëzim i sipërfaqeve të shpyllëzuara, përfshirë pyllëzimin e sipërfaqeve të reja.