Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka pranuar telegrame urimi nga presidenti italian Sergio Mattarella, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Në urimin e tij, presidentit italian Mattarella, ka shfaqur shpresën se nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, Kosova do të jetë në gjendje të bëjë hapa konkret në reforma të brendshme, të cilat e afrojnë me BE-në. Presidenti italian, gjithashtu i ka uruar që bashkëpunimi në mes të Prishtinës dhe Romës të rritet dhe më tej në përputhje me angazhimin italian përkrah Kosovës, me ç`rast ka përmendur pjesëmarrjen domethënëse të Italisë në misionin e KFOR-it.
Kurse shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë ka theksuar se institucioneve të reja të vendit u mbetet të fokusohen në procesin e reformave dhe atë të dialogut.
Presidenti Meta, ndërkaq në urimin e tij, ka theksuar se Presidentja Osmani do t`i shërbejë më përgjegjshmëri të lartë unitetit në mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore.
Në telegramin e presidentit turk Erdogan, shprehu kënaqshmërinë për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Turqisë në sfera të ndryshme, duke shprehur besim të plotë për të ardhmen e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Presidenti Pendarovski ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Kurse presidenti malazez, Gjukanoviq në telegramin e tij ka thënë se me Presidenten Osmani në krye, Kosova do ta konstituojë një epokë të re për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Sipas tij, Mali i Zi do të jetë një fqinj i mirë i Kosovës dhe një partner i përgjegjshëm.