Leorant Marmullaku është vetëm 16 vjeçar. Marmullaku nuk do ta harrojë të dielën e 15 shtatorit të këtij viti.
Në ndeshjen kundër Flamurtarit, ai bëri realitet ëndrrën e tij duke debutuar me fanellën e klubit të qytetit të tij, atë të Dukagjinit të Klinës.
Ishte minuta e 46-të e ndeshjes kur kryetrajneri i Dukagjinit, Xhengis Rexhepi vendosi që ta inkuadronte futbollistin me numrin 11 në fanellë, ani pse ishte në disavantazh prej dy golave. T’i besosh një 16 vjeçari në një ndeshje kampionale të cilën jeni duke e humbur, duhet të ketë të veçantë Marmullaku. “Falënderojë kryetrajnerin, gjithë shtabin teknik dhe ata që kanë besuar në mua dhe besojnë”, deklaroi Marmullaku për Insportin.
Pas ndeshjes me Flamurtarin, Marmullaku ka fituar vendin e titullarit në dy ndeshjet e fundit. Marmullaku ishte nga minuta e parë ndaj Ferizajt dhe Feronikelit.
Dukagjini përkundër startit jo të mirë në kampionat është duke i besuar sulmuesit të talentuar.
Marmullaku është produkt i klubit, pasi iu është bashkuar në moshën 13 vjeçare dhe konsiderohet si e ardhmja e klubit. Në moshën 14 vjeçare i është bashkuar skuadrës së parë. “Në moshën 13 vjeçare ia jam bashkuar Dukagjinit, ndërsa vetëm pas një viti kam filluar të stërvitem me ekipen e parë. Këto janë ngjyrat e qytetit tim, për këtë fanellë jam i gatshëm të bëjë gjithçka”.
“Hithat” pas 16 vitesh në Ligën e Parë, këtë sezon janë pjesë e Superligës. Marmullaku për Insportin tregoi se ishte kënaqësi të ndihmonte skuadrën e qytetit të tij të kthehej në elitën e futbollit të Kosovës. “Jam pjesë e historisë të këtij klubi, edhe pse jam paraqitur vetëm në disa ndeshje sezonin e kaluar kam arritur të shënojë dy gola. Këto dy gola do të qëndrojnë gjithmonë në zemrën time”.
Ai thotë se besimin e trajnerit Rexhepi do të mundohet t’ia shpaguaj me punë dhe gola në fushën e blertë. Skuadra e Dukagjinit këtë edicon ende nuk ka arritur të shënojë gol në Superligë, ndoshta Marmullaku do të ketë fatin që të shënojë ai. “Besimin trajnerit do mundohem ta kthejë me angazhim dhe për të kryer detyrat në mënyrën me të mirë të mundshme. Nuk mund të them se mund të jem ai që do shënojë golin e parë, kjo nuk ka shumë rëndësi për mua, me rëndësi është që skuadra të gjejë rrugën drejt fitores”.
Kryetrajneri i Dukagjinit, Xhengis Rexhepi për Insportin ka deklaruar se është kënaqësi të punosh me një futbollist siç është Leonart Marmullaku.
Rexhepi ka treguar se ka besim në të dhe se në skuadrat e tij nuk luajnë emrat apo mosha, kush e fiton besimin e tij me punë do të luajë. “Sa i përket fillimit jo të mirë të sezonit, normal që nuk ndihemi mirë, por besoj fuqishëm në ekipin tim. Te unë emri apo mosha nuk luan, kush e meriton do të veshë fanellën e Dukagjinit. Marmullaku me punën e tij në stërvitje ka arritur të fitojë besimin tim, duke i lënë disa futbollistë me përvojë në bankën rezervë”, është deklaruar Rexhepi.
Tutje, ai ka shtuar se nuk mendon se ka rrezikuar me vendimin e tij për t’i dhënë minuta një futbollisti 16 vjeçar. “Nuk rrezikojë aspak. Në çdo ndeshje Marmullaku është duke u përmirësuar, ai do të ketë mbështetjen time. Leoranti e ka në duart e tij karrierën, gjithçka do të varet nga ai se si do të punojë. Për t’u transferuar në Evropë, ai fillimisht duhet të jetë më i mirë në Superligë”, ka përfunduar Rexhepi.
Rexhepi është një ndër trajnerët e paktë të Superligës së Kosovës që iu beson futbollistëve të rinj, duke i dhënë minuta në skuadrat e tij. Sezonin e kaluar sa ishte pjesë e Llapit, futbollistët si Festim Alidema dhe Valmir Veliu ishin pjesë e rëndësishme e skuadrës së tij.
Marmullaku është ndër të paktët që ka debutuar në elitën e futbollit tonë në këtë moshë. Vlen të theksojmë se edhe ish futbollisti i njohur, Xhevded Llumnica kishte debutuar si 16 vjeçar me Kosovën e Prishtinës.
Dukagjini aktualisht renditet në pozitën e fundit me një pikë pas gjashtë xhiro, por kjo nuk e ka ndaluar që t’i besojë një 16 vjeçari.