Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pas nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkim Evropian. Ajo tha se anëtarësimi i shpejtë në BE “është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale”.
Mirëpo, ajo thotë se performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në BE është shumë e rëndësishme dhe sipas saj “kjo pamje do të mbetet vetëm imazh nëse nuk fuqizohet politika e jashtme”.
“Anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale. Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme”, ka shkruar Halimi në Facebook.
Ajo ka rekomanduar që 75 milionë eurot që u dhanë nga BE për Kosovën duhet të “vihen në punë, që të mos ketë reduktime”, derisa përmendi edhe faktin që Ministria e Shëndetësisë është pa ministër.
“Hyrja në BE mund të jetë larg, mirëpo 75 milionë eurot e tyre – fonde mbështetëse për energjetikë – dje janë deponuar në buxhetin e Kosovës. Qeveritarët tanë duhet të angazhohen për vënien e tyre në punë, që të mos kemi reduktime të rrymës që dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve dhe rrënojnë ekonominë tonë. Krahas kësaj, kemi hyrë në muajin e tretë pa ministër në Shëndetësi”, ka shkruar ajo.
“Mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit; qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore; e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike. Andaj, në vend të formaliteve pa efekt, kryeministri dhe kabineti i tij duhet të merren me gjëra të prekshme, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve tanë”.