LDK e pranishme në seancën ku presidentja pritet t’i drejtohet deputetëve, a do ta bojkotojnë sërish PDK e AAK ?

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë dy seanca plenare. Por në seancën e parë, që do të nisë në ora 09:30, presidentja e vendit Vjosa Osmani do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit.

Por ende nuk dihet se a do të jenë të pranishëm në këtë seancë deputetët nga partitë opozitare, të cilët në të kaluarën kanë bojkotuar seancat, ku presidentja Osmani u drejtohej deputetëve.

Vendimin për pjesëmarrje në këtë seancë , tashmë e ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila nuk do ta bojkotojë seancën.

Këtë e konfirmoi shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi.

Gashi tha për “Indeksonline”, se deputetët e partisë së tij, do të jenë nesër në seancën e Kuvendit, ku Vjosa Osmani u drejtohet deputetëve.

“ Ne si Grup Parlamentar do të marrim pjesë në seancën ku Presidentja e Repubolikës, do t’i drejtohet Kuvendit”, ka thënë Gashi për Indeksonline.

Por se a do të marrin pjesë dhe partitë tjera opozitare në seancën e nesërme mbetet të shihet. Nga PDK e AAK nuk preferuan të flasin për këtë çështje. Megjithëse “Indeksonline”, kërkoi një përgjigjjje nga disa prej deputetëve të këtyre dy partive, nuk arriti të marrë një përgjigjje. Disa nga deputetët nuk u përgjigjen me arsyetimin se pyetja u është bërë në orët e vona të mbrëmjës. Disa nga ta thanë se ende nuk është vendosur dhe se vendimi pritet të merret nesër . E disa të tjerë, preferuan të heshtin, duke mos kthyer përgjigjje në pyetjen, rreth pjesëmarrjes së tyre në këtë seancë./Indeksonline/.