Gara me vetura që u mbajt të shtunën në mbrëmje, në kilometrin e 15-të të Autostradës “Ibrahim Rugova”, përfundoi tragjikisht. Pasioni që kishin për garat e tilla, ua mori jetën tre të rinjve, Lordon Sylës, Molos Delijës dhe Nue Bibajt. Ata u goditën nga njëra prej veturave që po garonte me një veturë tjetër, me shpejtësi të ‘çmendur’.
Pikërisht për garën ilegale që ndodhi atë natë, Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se Hasan Tërshana, Komandanti i Trafikut në Rajonin e Prizrenit është degraduar nga pozita.
Lajmin e ka konfimruar për Gazetën Sinjali edhe vetë Tërshana.
“Po, unë e kam marrë vendimin prej drejtorit të Përgjithshëm”, ka zbuluar Tërshana për Gazetën Sinjali.
Ai ka treguar se tash e kanë zvendosur në një pozitë tjetër.
“Më kanë çu më një pozitë tjëtër – tash jam në sektorin e operativës”, ka thënë ish-komandanti i Trafikut Rajonal të Prizrenit
Për vendimin që ka pranuar, ai ka thënë se do ta shfrytëzojë të drejtën e tij të ankimimit.
“Unë do t’i shfrytëzoj të drejtat e mija, sepse ajo zonë nuk është zonë e përgjegjësisë së Njësisë së Trafikut, është zonë që i përkët Njësisë së Autostradave”.
“Më është bë padrejësi, mirëpo unë përmes rrugëve ligjorë do t’i ndjek të drejtat e mija”, tha tutje Tërshana për Gazetën Sinjali.
Se janë marrë ndaj dy zyrtarevë policorë në rajonin e Prizrenit, por pa i përmendur emrat e tyre, e ka konfimruat sot edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Ndër masat e ndërmarra deri më tani është inicimi i hetimeve disiplinore për përgjegjësi menaxheriale, lëvizja e dy komandantëve të Njësive të Trafikut, plani i ri për siguri në trafikun rrugor”, tha Sveçla, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndryshe, nga gara me vetura që u mbajt të shtunën në mbrëmje, në kilometrin e 15-të të Autostradës “Ibrahim Rugova”, mbetën të vdkeur tre të rinj: Lordon Sylës, Molos Delijës dhe Nue Bibajt.
Ata u goditën nga njëra prej veturave që po garonte me një veturë tjetër, me shpejtësi të ‘çmendur’.
Arlind Syla, shoferi i veturës që i goditi tre viktimat dhe Irfan Hoti, që po garonte me të, u arrestuan të dielën, si të dyshuar lidhur me këtë rast. Shoferët e dy automjeteve tashmë ndodhen prapa grilave.
Syla dhe Hoti janë emra të njohur për Policinë, për shkak të numrit të gjobave që kanë shqiptuar ndaj tyre për kundërvajtje në trafik.
Siç mëson Sinjali, vetëm këtë vit, rreth 10 dënime janë shqiptuar nga Policia e Trafikut Rajonal në Gjakovë ndaj Arlind Sylës, ndërsa Irfan Hoti është gjobitur rreth 15 herë për shkelje të rregullave në trafik.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Irfan Hotit para disa muajsh i ishte konfiskuar patentë shoferi për tre muaj.
Ndryshe, aksidenti në Prizren që tronditi të gjithë ka alarmuar edhe shtetin.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar të mërkurën ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.
Ai e ka përmendur se vetëm ditëve të fundit kanë vdekur katër individë nga aksidentet në trafik, tre prej tyre si pasojë e garave të jashtëligjshme automobilistike në autostradën Ibrahim Rugova në Prizren.
Sveçla ka thënë se përmes masave që do të merren ndaj shkelësve, masa do të ketë edhe ndaj, siç ka thënë ai, neglizhencës së zyrtarëve policorë për trajtim me prioritet të garave të paligjshme.
Ai ka thënë se vetëm këtë vit janë dhënë 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të tilla, që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm në komunikacion.
Sveçla ka thënë se në kuadër të ndryshimeve në ligjin për trafik do të kërkojë që garat e paligjshme të konsiderohen vepër penale.
“Policia e Kosovës, të njëjtin grup e kishte parandaluar dy herë në organizmin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në shumë media, të njëjtit kanë pasuar gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie, dhe njërit i është konfiskuar patent-shoferi për filmim dhe publikim të këtyre garave”, tha ai.