LAMTUMIRË MAESTRO I RRALLË I VERBIT SHQIP

Nga Hajdin Morina

(Me rastin e ndarjes fizike nga Ismail Kadare- fragment nga një analizë më e gjatë për dy romane të tij)

Romani “Vajza e Agamemnonit” është vepra e parë e distikut letrar, të cilin e përbën edhe romani “Pasardhësi”, vepra këto që janë motivuar nga jeta e njerëzve nën diktaturën komuniste shqiptare, e cila, siç thotë Ismail Kadare, e kishte çjetëzuar jetën, e kishte tharë atë, e kishte shkrumbuar për ta sunduar më lehtë. “Vajza e Agamemnonit” është shkruar më 1985 dhe më 1986 është depozituar në “Banque de la cite”, bashkë me vëllimet në prozë “Hija”, “Ikja e shtërgut” dhe me një numër vjershash të Ismail Kadaresë. Depozitimi i këtyre veprave në Paris ishte bërë për shkak se ishte i pamundshëm botimi i tyre në Shqipëri, dhe Kadareja lejonte që ato vepra të depozituara të botoheshin në momentin më të përshtatshëm për to dhe për autorin.
Subjektin e këtij romani e përbëjnë ngjarjet që lidhen me një dashuri të parealizuar për shkaqe politike dhe shumë ngjarje të tjera që kanë të bëjnë me fate tragjike të qytetarëve nën diktaturë. Është roman që shpalos para lexuesit funksionimin e tmerrshëm të mekanizmit të shtetit totalitar, i cili në emër të “vigjilencës komuniste”, në emër të “revolucionarizimit të çdo gjëje në Shqipëri” dhe në emër të “parimeve të marksizëm-leninizmit” ndërmerrte fushata të egra spastrimesh në kulturë, në ekonomi, në ushtri dhe kudo ku vëreheshin “shenja të rënies së vullnetit dhe të optimizmit në pranverën socialiste, nën qiellin komunist, në Shqipërinë pa borxhe të jashtme, në shtetin e parë komunist në botë”.
……………………………………………………………………………………………………..
Autori përshkruan edhe se si mund t’i vinte rreziku njeriut, madje mund të internohej, të dënohej e të binte i vdekur në gropat e minierave të kromit, për shkak të një letre anonime që mund të vinte në zyrat e Partisë, që mund të “qëndisej” në zyrat e mekanizmave të veçantë shtetërorë. Si shumëçka në diktaturë, edhe fenomeni i letrës (i letrës anonime) mbetej enigmë, nuk dihej kush e ka dërguar, nuk dihej kush nga aparati i shtetit e ka shkruar dhe e ka futur në kutinë postare, dhe kureshtar ka pritur efektet e saj shkatërrimtare.
Një letër e tillë erdhi një ditë nga Lushnja në Radiotelevizionin Shqiptar, por në fillim nuk ia vunë shumë veshin. Letra kritikonte spikeren e Festivalit të këngës në Radiotelevizion, sepse kishte veshur një fustan paksa të gjatë. Pëshpëritej shumë për letrën. Drejtuesit e Radiotelevizionit bënë ca autokritika, por këto nuk i mjaftuan Partisë. Drejtori i Radios dërgohet në fshat e pastaj në minierë. Keq do ta pësojë drejtori i përgjithshëm, i cili transferohet në qytetin e vogël N., drejtor i Komunales, pastaj punëtor i thjeshtë që shtronte pllaka në banjat e apartamenteve. Pastaj ndodh arrestimi i tij, dënimi me burg prej 15 vjetësh, dhe fundi tragjik: një dorë e porositur e një të burgosuri ordiner e shtyu poshtë në gropën e thellë të minierës së kromit. Autori me mjeshtëri artistike ka bërë përshkrimin e fatit tragjik të drejtorit të përgjithshëm, motivimin, ankthin shpirtëror dhe majat e tragjedisë jetësore të këtij intelektuali.
Një antitezë të tillë shkrimtari e ka sajuar kur bën përshkrimin e toneve të gëzueshme që nxirrte orkestra para tribunës së udhëheqjes së shtetit dhe përshkrimin e imazheve në mendimet e personazhit-rrëfimtar për krimet, spastrimet, diferencimet, degradimet nga më të tmerrshmet. Një antitezë tjetër domethënëse: para tribunave parakalojnë minatorët e kromit, me pankarta në duar, “me buzëqeshjen e pranverës socialiste në fytyrë”; në mendjen e personazhit dhe të lexuesit lëvizin imazhet e vrasjeve të të dënuarve politikë nëpër gropat e zeza të minierave të kromit, imazhi i mbytjes së drejtorit të përgjithshëm në njërën nga këto gropa të thella, porositur nga dora e shtetit. Parakalojnë edhe punëtorët e institucioneve të kulturës, pra edhe ata të Radiotelevizionit…
Figurat e tilla artistike lexuesit ia qartësojnë më mirë shumë ide në vepër, rregullojnë ritmin e rrëfimit dhe ritmin e ngjarjeve, krijojnë skena dramatike dhe pjesë lirike në tekst.
Romani “Vajza e Agamemnonit” përfundon me këto dy fjali: “Fushata e Trojës ka filluar. Asgjë nuk e pengon më tharjen e jetës” (fq. 113). Ç’krahasim! Fushata kundërkulturore dhe kundërnjerëzore që ndërmerr makineria e shtetit të diktaturës në Shqipëri, në shekullin XX, krahasohet me fushatën ushtarake shkatërrimtare të ushtrisë greke, prirë nga Agamemnoni, kundër Trojës, dy mijë e tetëqind vjet më parë.
…………………………………………………………………………………………………….
Fundi i romanit i mundëson lexuesit të krijojë nëntekste të pafundme, brenda të cilave zhvillohen ngjarje tragjike, brenda të cilave lëvizin me drejtpeshim të çekuilibruar, si në teatrin antik grek, njerëz me “faj tragjik”, të vetëdijshëm se i pret “fundi tragjik”, sepse fajin e kanë trashëguar nga prindi ose nga gjyshi, sepse faji i tyre “zbulohet”, krijohet përditë e përnatë nëpër laboratorët e makinerisë shtetërore, e cila punonte në emër të doktrinës, në emër të “luftës së klasave”.
…………………………………………………………………………………………………….
Vrasja ose vetëvrasja (edhe vetëvrasja në diktaturë ishte vrasje) e Pasardhësit natën ndërmjet 13 dhe 14 dhjetorit 1981 shtjellohet qysh në fillim të romanit, paraqitet si ngjarje kyçe, me të cilën lidhen ngjarje të tjera të subjektit dhe përshkrime e zbërthime fatesh tragjike. Viti i vrasjes, 1981, nuk jepet fare, mbase për arsye e kritere letrare.
……………………………………………………………………………………………………
Sikur në romanin “Vajza e Agamemnonit” edhe në veprën “Pasardhësi” autori krahason ngjarje, veprime e fate njerëzish. Në Shqipëri, në mëngjesin që agoi pas vrasjes, njerëzit prisnin të shohin elemente të zisë: flamuj në gjysmështizë. Kjo nuk ndodhi. Nëpër qendrat botërore të zbulimit po shkundej pluhuri nga dosjet e Shqipërisë. Shqipëria paraqitej e largët dhe e panjohur mirë për ta. Ndonjëri vrasjen e trajtonte të lidhur me rebelimin (demonstratat e vitit 1981) që ishte shtypur kohë më parë në Kosovë…
……………………………………………………………………………………………………..
Deri më tash, më 1 korrik 2024, kur Ismail Kadare mbylli sytë, vepra e tij monumentale është e përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës, për miliona lexues që njohën, përmes letërsisë së Kadaresë, dramën, luftën, qëndresën, virtytet dhe shpirtin e popullit shqiptar që as dje, as sot nuk kërkon më shumë sesa të jetojë i lirë në trojet e të parëve të vet, në Shqipërinë që ia caktoi Zoti, me gjuhën që ia dha toka ilire, së paku tash e tre mijë vjet më herët, këtë gjuhë të ëmbël të Gjergj Kastriotit, të Bogdanit e të Naim Frashërit, këtë gjuhë hyjnore që e madhështoi edhe më Ismail Kadare, duke i dhënë kombit të vet, Europës dhe botës mbarë vepra që shkruhen rrallë, shumë rrallë…

Lamtumirë Maestro i Rrallë! Lamtumirë Ambasador i Vërtetë Moral e Fuqiplotë i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar nëpër botë!