Gazeta Express mëson se ministrat e AAK’së pritet të japin dorëheqje pas nënshkrimit të marrëveshjes nga kryeministri Hoti me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, e rrjedhimisht, partia e Haradinajt largohet nga koalicioni qeverisës me LDK’në.
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, kërkon të mos nënshkruhet marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, për të cilën është dakorduar dje kryeministri Avdullah Hoti në takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të ndërmjetësuar nga amerikanët.
Gazeta Express mëson se Haradinaj e ka njoftuar LDK’në se do ta braktisë Qeverinë, nëse sot nënshkruhet marrëveshja në Shptëpinë e Bardhë.
Express ka raportuar më herët se ka tensione në delegacionin e Kosovës në Uashington.
Pak orë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka përplasje mes kryeministrit Hoti dhe të dërguarve të Haradinajt, pasi ai nuk po pajtohet me marrëveshjen.
Haradinaj ka thënë sot për Radio Evropën e Lirë se nuk e pranon marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot, pasi, sipas tij, aty bëhet fjalë edhe për Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës.
“Ujmani është një liqe që ka 9,2 kilometra në territorin e Kosovës, dhe ka 2,7 në territorin e Serbisë. Pra, është një kufi ujor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe një hidrocentral në brendi të Kosovës. Ne nuk e vlerësojmë që duhet të jetë në një marrëveshje trelaterale ku është edhe Serbia palë e ardhmja e Ujmanit. Jemi të hapur me Departamentin e Energjisë të Amerikës për të ardhmen e Ujmanit, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku edhe Serbia është palë, lidhur me të ardhmen e Ujmanit”, tha Haradinaj.
Ai madje e ka paralajmëruar pak më parë se po rrezikohet qëndrueshmëria e koalicionit nga pranimi i një marrëveshje tripalëshe, që e përfshin edhe Ujmanin.
“Kjo do të ketë ndikim të madh në të gjitha marrëdhëniet që kemi politike sepse AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje dhe në çfarëdo forme, që të ndihmojë në një marrëveshje ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka thënë ai për REL.
Ndryshe, sot llogaritet të jetë e premte e madhe për Kosovën dhe Serbinë. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Presidenti Trump do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes, e më pas do të takojë bashkë Vuçiqin e Hotin, si përfaqësues të dy shteteve.
Emisari i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë ka shkruar në Twitter se e djeshmja ka qenë ditë produktive dhe se është optimist për zhvillimet që do të ndodhin sot.
Kryeministri Hoti ka thënë dje pas diskutimeve që quan në dakordime, se nga Shtëpia e Bardhë nuk do të dalë një marrëveshje e keqe apo e dëmshme për Kosovën.
Marrëveshja Kosovë – Serbi prietet të nënshkruhet në orën 11:05, sipas kohës lokale në Uashington, që i bie të jetë ora 5 pasdite në Kosovë. /