Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu do të vazhdojë medoemos pasi ka arsyetuar se pa normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për asnjërën nuk do të ketë të ardhme evropiane.
Ai ka shtuar se normalizimi kërkon kompromis dhe ai duhet të arrihet përmes dialogut.
“24 shtatori nuk ishte aksident. Ishte gjë e tmerrshme që ndodhi dhe duhet të hetohet siç duhet. Do të fakti është se shumë gjëra kanë ndryshuar dhe do të ketë ndikim në vazhdimin e dialogut në shumë aspekte por ka një gjë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë është se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi kërkon një marrëveshje, që nënkupton kompromis, që mund ta arrijmë vetëm përmes dialogut”.
“Kushdo që thotë se dialogu ka vdekur, thotë se e ardhmja evropianë ka vdekur – sepse rruga në Evropë e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes normalizimit”.
Lajçak ka paralajmëruar se masat e BE-së ndaj Kosovës mund të largohen dhe se këtë ai vetë e mbështet.
“Në rrethanat aktuale nuk duket mirë që Kosova është nën masa negative të BE-së dhe kjo çështje duhet adresuar. (Heqja e sanksioneve) Kjo është njëra mundësi që unë personalisht do ta mbështes”.