Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka kundërshtuar ata që po shprehen se tash nuk është koha e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai në një intervistë për “wienerzeitung”.
Ai ka komentuar procesin aktual të dialogut mes dy vendeve duke thënë se janë duke u diskutuar çështje të ndjeshme, për pronat dhe prentendimet financiare. Ka thënë se palët janë pajtuar që të flasin edhe për të pagjeturit dhe të zhvendosurit si dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Megjithatë, ai ka thënë se për asgjë s’mund të arrihet pajtim pa u pajtuar për gjithçka.
“Tjetër sfidë është marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Palët ishin pajtuar për këtë më 2013/2015, por s’është implementuar kurrë. Është çështje e ndjeshme në të cilën po ashtu ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushteutese e Kosovës – dhe ky opinion duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tash nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tash? Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje vetë’”, ka thënë ai. “Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe të paadresuara. Me aprovimin më 2013/2015 vjen edhe obligimi për ta implementuar. S’ka çështje që negociohet e që është e lehtë. Por nëse e ndërpresim dialogun sërish, do të na duhet ta rinisim”.
Çështja e Asociacionit është temë që po kërkohet me ngulm të diskutohet nga pala serbe. Ndërsa për Kosovën po konsiderohet “temë e mbyllur”.