Lahi Brahimaj:Vizita në Gjakovë mbështetje e fuqishme për të ardhmen e Kosovës

Lahi Brahimaj, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, ka vijuar rrugëtimin e tij politik me një takim emocional dhe frymëzues me bashkëluftëtarët në Gjakovë. I shoqëruar nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, Brahimaj pati mundësinë të shprehë mirënjohjen dhe respektin për luftëtarët e lirisë, duke biseduar me ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Një falënderim i veçantë iu dedikua Gjeneral Maliq Ndrecës për organizimin e këtij takimi, i cili ishte i mbushur me ndjenja të thella dhe kujtime të çmuara nga periudha e luftës.

Në vazhdën e takimeve të tij, Brahimaj, bashkë me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, dhe kandidatët e tjerë të AAK-së, morën mbështetje të fuqishme nga banorët e Ponoshecit dhe Babaj Bokës. Ata treguan angazhimin e tyre për një të ardhme më të ndritur për Kosovën, duke besuar fuqishëm se vizioni i një Kosove Fituese është rruga e duhur për të ndërtuar një shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe me perspektivë të qartë euro-atlantike.

“Mbështetja që po marrim është një dëshmi e fortë se po ecurim drejt një Kosove që do të jetë një model i zhvillimit dhe dinjitetit shtetëror. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të ndritur për të gjithë,” tha Brahimaj, duke shtuar se vizioni i tij dhe i Aleancës është i palëkundur.