Lahi Brahimaj, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së, ka zhvilluar një takim të ngrohtë në shtëpinë e vëllezërve Hajdin dhe Bekim Tafa në Dushkajë të Dukagjinit. Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm shumë bashkëluftëtarë, duke përkujtuar sakrificat dhe vlerat e luftës çlirimtare.
“Edhe pse nën regjimin e reduktimeve të energjisë elektrike, pasojë e keqqeverisjes aktuale, kaluam çaste të paharrueshme me rastin e ditëlindjes së Hajdinit. Këto takime forcojnë lidhjet tona vëllazërore dhe na kujtojnë se vlerat e luftës mbeten gjallë përmes respektit dhe mirënjohjes për ata që sakrifikuan për liri,” u shpreh Brahimaj.
Ai veçoi kontributin e familjes Tafa, nga e cila rrjedh edhe Heroi i Kosovës, kryetekniku medicional Rexhep Tafa, duke falënderuar për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre ndaj vlerave kombëtare.
“Familjes Tafa faleminderit për mikpritjen. Hajdinit i dëshirojmë edhe njëqind vjet të tjera,” përfundoi Brahimaj, duke ritheksuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të frymës së luftës për liri dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve.