Lahi Brahimaj: Ushtria e Kosovës, simbol i sakrificës dhe profesionalizmit

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Lahi Brahimaj, ka përkujtuar sot 6-vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, duke vënë theksin te roli kyç i Ramush Haradinajt dhe koordinimi me SHBA-të në realizimin e kësaj ëndrre kombëtare.

“Meritat më të mëdha për këtë kryevepër i takojnë Ramush Haradinajt, që me një vizion të qartë dhe me përkushtim arriti të krijojë ushtrinë tonë – një ëndërr për të cilën është sakrifikuar shumë,” ka deklaruar Brahimaj, transmeton Klina.info.

Ai vlerësoi lart profesionalizmin dhe atdhedashurinë e pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës – burra dhe gra të përkushtuar për të shërbyer për paqe dhe siguri në Kosovë dhe më gjerë.

Sipas Brahimajt, është thelbësore që këta profesionistë të trajtohen me dinjitet dhe të kenë kushte më të mira pune – një prioritet që, siç thotë ai, do të realizohet me Ramush Haradinajn si kryeministër.

Në fund, Brahimaj theksoi se anëtarësimi direkt në NATO mbetet synimi kryesor, duke e cilësuar atë si rrugën e vetme për stabilitetin e Kosovës, Ballkanit dhe rajonit në përgjithësi.