Lahi Brahimaj në Llukë: Tradita dhe mikpritja shqiptare, themeli i qëndresës sonë kombëtare

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj, ka zhvilluar një takim të veçantë sot në Llukë të Deçanit, ku u prit nga familja fisnike e Avdyl Naim Muçaj.

Në këtë vizitë, ai vlerësoi lart traditat dhe vlerat kombëtare që kanë mbajtur të bashkuar popullin shqiptar në çdo kohë, transmeton Klina.info.

“Vlerat tona tradicionale janë themeli i qëndresës sonë kombëtare, që na mbajtën të bashkuar në çdo kohë. Kjo vatër bujare është shembull i traditës dhe atdhedashurisë që transmetohen natyrshëm ndër breza,” tha Brahimaj, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të këtyre vlerave.

I rrethuar nga miq dhe bashkëluftëtarë, Brahimaj përjetoi ngrohtësinë dhe mikpritjen tradicionale shqiptare, duke shprehur falënderimin e tij për familjen Muçaj dhe komunitetin për angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Kosovës dhe trashëgimisë së saj kulturore.

AAK mbetet e përkushtuar për t’u bazuar në vlerat tradicionale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.