Lahi Brahimaj i AAK-së i jep lamtumirën luftëtarit Asllan Smajli: “Shembull i trimërisë dhe sakrificës për atdhe”

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj, ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për ndarjen nga jeta të luftëtarit Asllan Smajli. Në një mesazh ngushëllues, Brahimaj kujtoi figurën e Asllanit si pjesë e një familjeje të shquar luftëtarësh, duke përmendur babain e tij, Avdi Smajli, dhe vëllain, heroin e kombit Luan Smajli.

“Asllani ishte shembull i trimërisë që në moshë të re,” tha Brahimaj, duke theksuar se heroizmi dhe sakrifica për atdhe janë virtyte që trashëgohen nga brezi në brez dhe që përbëjnë themelet e lirisë së Kosovës.

Në këtë ditë të rëndë për familjen Smajli dhe bashkëvendasit, Brahimaj u shpreh i përulur përpara veprës së një luftëtari që la gjurmë të pashlyeshme në rrugën drejt lirisë.

“Lamtumirë, bashkëluftëtar dhe bashkëvendas, Asllan Avdi Smajli,” përfundoi ai, duke i dhënë lamtumirën një njeriu që mbetet simbol i trimërisë dhe sakrificës për vendin.