Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, ka nderuar sot kujtimin e dëshmorëve të kombit, duke vizituar varrezat e tyre në Dashinoc dhe Shqiponjë.
“Çdo hap në këto vende të shenjta është një përulje para sakrificës sublime të bijve më të mirë të kombit tonë, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës,” ka theksuar Brahimaj në një postim.
Gjatë vizitës së tij, së bashku me familjarë dhe bashkëluftëtarë, Brahimaj nderoi kujtimin e dëshmorëve Qel Ukaj dhe Zef Gjokaj në Dashinoc, si dhe trimërinë e Nik Hajdarajt në Shqiponjë. Ai i cilësoi këto vende si “altare të lirisë sonë”.
“Para varrezave të dëshmorëve, betohemi se do të ruajmë amanetin e tyre të shenjtë dhe do t’ua përcjellim brezave që vijnë vlerat për të cilat ranë këta trima,” përfundoi Brahimaj, duke riafirmuar përkushtimin për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe sakrificave për liri.