Ky shtet është shumë afër njohjes së Kosovës

Është një mundësi krejtësisht reale që pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat deri më tani nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Greqia, Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania, të ndryshojnë qëndrimin e tyre, edhe para afatit të përcaktuar nga plani 13-pikësh i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, dhe më afër njohjes është aktualisht Greqia, pohojnë burime diplomatike të gazetës serbe “Danas”.

Sipas këtij mediumi, Greqia është aktualisht më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Greqia është mjaft afër, sepse aktualisht po e trajton Kosovën në çdo gjë si shtet të pavarur dhe është vetëm çështje kohe se kur do ta bëjë këtë zyrtarisht. Deri më tani, Greqia nuk e ka njohur Kosovën për shkak të interesave të atij vendi dhe dinamikës rajonale të marrëdhënieve, por problemi kryesor ballkanik që kishte Greqia – mosmarrëveshja me Maqedoninë e Veriut – është zgjidhur. Ata nuk kanë asnjë pengesë tjetër për çështjen e pavarësisë, përveç Qipros”, thonë burimet e gazetës serbe

Megjithatë, ata shtojnë se meqë Qiproja është anëtare e BE-së, kjo çështje është mjaft e ndryshme nga ajo e Kosovës dhe se autoritetet në Greqi mund ta theksojnë këtë dallim nëse dëshirojnë të marrin mbështetje për njohjen e Kosovës.

“Nëse Greqia e bën këtë, Qiproja me siguri do të inatoset, por sigurisht që nuk do të mbetet i vetmi vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nëse BE-ja kërkon unitet nga anëtarët e saj dhe nëse Greqia e ngre këtë çështje. Në atë rast, është vetëm çështje kohe dhe marrëveshjeje se kur do të bëjë të njëjtën gjë edhe Spanja. Për Rumaninë dhe Sllovakinë çështja është edhe më e thjeshtë”, thonë më tej burimet e gazetës serbe “Danas”.