Sinjali mëson se i dyshuari është, Tomë Dodaj, 49-vjeçar, nga fshati Novosellë i Gjakovës.
Burimet njoftojnë se Dodaj është arrestuar për shkak se dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit Naim Murselin dhe Granit Plavën.
Dodaj është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin, teksa Sinjali mëson se atij i është sekuestruar edhe një armë zjarri.
Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj.
Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.
Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.
Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.
Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.
Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.