Një kontroll i Policisë në fshatin Runik të Skenderajt i zhvilluar gjatë ditës së djeshme rezultoi me arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e tetë armëve e mbi 500 fishekëve. Arrestimi i të dyshuarit erdhi pasi Policia ndaloi për kontroll të dyshuarin derisa po lëvizte me veturë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Liridon Zekaj, 21-vjeçar, i cili ra në prangat e Policisë për armëmbajtje pa leje.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari është kapur pasi Policia ka marrë informacion se i njëjti merrej me shitblerjen e armëve. Kjo bëri që Policia të aktivizohej duke e kapur mat të dyshuarin me 8 armë dhe 520 fishekë të ndryshëm.
Armët dhe municioni janë konfiskuar nga ana e Policisë, kurse i dyshauri është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 21-vjeçari i dyshuar është ndaluar në kohëzgjatje orej 48 orësh.
Kujtojmë se posedimi i armëve ilegale është bërë dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi Policia vazhdimisht has në persona të cilët mbajnë armë zjarri e të ftohta, duke u cenuar kështu siguria publike.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.