Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person, i cili dyshohet të ketë vrarë gruan e tij 48 vjeçare në Llaushë të Skenderajt.
Burime të Indeksonline bëjnë me dije se i dyshuari për vrasjen e 48 vjeçares është Skender Qerimi.
Poashtu sipas këtij burimi, në momentin e arrestimit ai citohet t’i ketë thënë policisë se ka vrarë gruan e tij.
Ngjarja që e ka tronditur sot Skenderajn ka ndodhur rreth orës 13:10.
Më poshtë njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Sot, rreth orës 13:40, policia në Skenderaj, ka pranuar informacion për një plagosje nga arma e zjarrit e ndodhur në fshati Llaushë të Skenderajt.
Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.
Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima si pasojë e plagëve kishte vdekur.
Lidhur me veprën penale është arrestuar një person i dyshuar, nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit Pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë (6) gëzhoja.
Pas intervistimit të dyshuarit S.Q,.51 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.