Nga nesër do të nisë të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që pronarët e veturave me targa ilegale të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
”Policia e Kosovës, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.10.2022 me Nr. 05/103, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS, ka bërë të gjitha planifikimet e saja me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në një njoftim të policisë.
Policia e Kosovës përmes një kumtese për media ka treguar se si duket dokumenti i masës së qortimit, e cila do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.
“Sipas vendimit zyrtar nga data një (1) nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”.
“Ndërsa nga data njëzet e një (21) nëntor deri me datë njëzet e një (21) janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi”.
Kujtojmë, se ky është vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato RKS i cili është paraparë të zbatohet shkallë-shkallë për gjashtë muaj.