Gazeta Sinjali raportoi sot për një ngjarje të rëndë që ndodhi në rrugën “Mihal Grameno në Gjakovë, ku një burrë është gjetur pa shenja jete dhe sipas informacioneve të para dyshohet për vetëvrasje. Policia dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë ende nuk dihet motivi.
Burimet e Sinjalit brenda Spitalit të Gjakovës kanë bërë me dije se personi që dyshohet se i dha fund jetës së tij është Skender Bordoniqi, i njohur si “Kena”.
Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në Emergjencë, ku i ndjeri u dërgua menjëherë, por fatkeqësisht pa shenja jete.
“Kena” ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë dhe akoma s’dihen detajet e këtij rasti tragjik që tronditi familjen e tyre.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë, me ç’rast janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia, si dhe u bë e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes” dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.