Asamblistët e Kuvendit Komunal të Klinës sot unanimisht kanë votuar një deklaratë të përbashkët në përkrahje të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Kuvendi i Komunës së Klinës me deklaratën e tyre mbështet luftën e pastër të UÇK-së, duke qenë të bindur se ajo ishte e drejtë.
Kjo është deklarata e Kuvendit Komunal të Klinës.
Komuna e Klinës
Kuvendi i Komunës së Klinës
Datë 26. 06. 2020
Deklaratë e Kuvendit të Komunës së Klinës
Ne, Kuvendi i Komunës së Klinës, veprimin e datës 25 Qershor 2020 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar e shohim si një veprim politik dhe e interpretojmë si të pazakonshëm dhe tejet tendencioz, me një gjuhë tërësisht jozyrtare dhe jo profesionale. Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon që është propozuar aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës SH.T.Z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, i cili është edhe Deputet i Parlamentit të Republikës, Z. Kadri Veseli, por ligjërisht konsiderojmë që ajo aktakuzë nuk ka asnjë bazë juridike pa u konfirmuar nga Gjyqtari i Procedurës paraprake.
Kuvendi i Komunës së Klinës mbështet luftën e pastër të UÇK-së, duke qenë të bindur se ajo ishte e drejtë. Mbështesim gjithashtu udhëheqësit e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe gjithë të tjerët që mund të akuzohen në të ardhmen nga kjo Gjykatë./Klinainfo/