Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen ditët në vijim për të nxjerrë aktgjykimin, lidhur me vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në zgjedhjen e Qeverisë Hoti.
Pesë ditë pas seancës dëgjimore të kushtetueses, përkitazi me këtë rast, zëdhënësi i Gjykatës, Veton Dula thotë se palët kanë afat edhe sot për dorëzimin e argumenteve me shkrim të prezantuara javën e kaluar.
Derisa bënë të ditur se seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet në ditët e ardhshme.
“Pas seancës dëgjimore publike mbajtur të mërkurën, më 2 dhjetor 2020, palët e përfshira në rast kanë afat që t’i dorëzojnë argumentet e tyre të prezantuara, në të shkruar, deri sot, më 7 dhjetor 2020. Seanca për shqyrtimin e lëndës do të mbahet në ditët në vijim, pas datës 7 dhjetor 2020. Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni” thotë ai për KP.
Lëvizja Vetëvendosje po e konteston kushtetushmërinë e qeverisë Hoti, pasi vlerëson se vota përcaktuese e deputetit tashmë të arrestuar, Etem Arifi ka qenë e pavlefshme, rrjedhimisht edhe ekzekutivi.