Banka Qëndrore e Kosovës këtë të premte vendosi që të mbyllte dy institucione mikro financiare, Iute Credit dhe Monego, të cilat po jepnin kredi me normë interesi tejet të lartë.
Ky lajm u bë i ditur në një konferencë të jashtëzakonshme nga Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, shkruan gazeta inFokus.
Mirëpo kush janë këto dy institucione mikrofinanciare?
Një hulumtim i bërë kohë më parë nga Kosova.info ka rezultuar se “MONEGO është në pronësinë e Aigars Kesenfelds një biznesmen i cili është i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, shpërlaje të parave dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg Boyko. MONEGO tani ka filluar të shtrijë rrjetin e saj edhe në Kosovë, ku fluksi i qytetarëve është jashtëzakonisht i madh për të marr kredi të shpejta”.
Sipas këtij hulumtimi “ky sistem i kredive të shpejta ka rezultuar të jetë fatal për shumë familje nëpër vende të ndryshme të Evropës. Mashtrimi përmes marketingut dhe normat e larta të interesit janë në kundërshtim edhe me normat reale të BQK-së. Sistemet e tilla nga i njëjti pronar dhe mashtrimet që janë bërë nëpër shumë shtete të Evropës, sot po rrezikojnë qytetarët e Kosovës nga një “sistem piramidal” siç është MONEGO.”
Pra sipas këtij hulumtimi mashtrimet nga kjo bankë janë bërë jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë shtete të Evropës.
Ndërsa sa i përket Iute Credit edhe më herët është raportuar se ky institucion mikrofinanciar po mashtron qytetarët e Kosovës.
Nga BQK-ja kjo bankë është ndëshkuar në shkurt të vitit 2019, për mashtrim dhe e njëjta i kishte kthyer paratë klientëve.
Reklama që mund të merrni kredi për 15 minuta një numrit të kosovarëve u ka kushtuar shtrenjtë.
Iute Credits për Insajderin kishte pranuar se i ka mashtruar klientët e saj.
Kështu thuhej në përgjigjen në atë kohë nga BQK-ja për Insajderin.
“Pas konstatimit të shkeljeve nga Iute Credit, janë ndërmarrë masat konform natyrës dhe peshës së shkeljes”, thuhej në përgjigjen e BQK-së.
Këtë të premte pas një mbledhje tejet të tensionuar të bordit të BQK ky institucion ka marr vendim të mbyllë këto dy institucione financiare.
Edhe Fehmi Mehmeti, guvernator i BQK-së ka thënë se devijimi më i rëndësishëm për të cilën edhe është marrë ky vendim është norma e interesit me të cilën është marrë kredia.
“Banka Qendrore duke u bazuar në kompetencat e saj ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të nisë procedurat e likuidimit për institucionet mikrofinanciare Iute Credit dhe Monego…Devijimi më i rëndësishëm nga planet e tyre të biznesit ka të bëjë me normën e interesit që kanë marrë kredi.. Ne nuk do të lejojmë asnjë aktivitet që cenon sigurinë tonë kombëtare” tha ai. /Klina info/