Bota e futbollit është në zi sot.
Presidenti legjendar i Milanit, Silvio Berlusconi ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare pasi po vuante nga sëmundja e leukemisë.
Por, kush ishte Berlusconi?
Krahas politikës, ku ishte Kryeministër në dy mandate dhe skandaleve të ndryshme gjatë jetës, miliarderi italian një pjesë të madhe të jetës ia kushtoi futbollit, shkruan “Gazeta Express”.
Në vitin 1986, Berlusconi e kishte blerë klubin italian, të cilin e kishte ngritur në majat e futbollit botëror.
Në periudhën 31 vjeçare sa ishte në krye të “Rossoneri”, Berlusconi e bëri Milanin klubin më të suksesshëm në botë.
Nën drejtimin e tij, klubi nga qyteti i modës i fitoi 29 trofe, përfshirë këtu 5 Liga të Kampionëve dhe 8 Liga të Italisë.
Sipas mediave italiane në atë kohë, Milani ishte shitur për 740 milionë euro, ndërsa borxhet e klubit në atë kohë ishin rreth 220 milionë euro.
Pas një pauze të shkurtër, Berlusconi nuk mundi të qëndronte larg futbollit dhe u rikthye në këtë sport duke e marrë në dorë klubin Monza, të cilin bashkë me bashkëpunëtorin dhe “motorin” e tij, Adriano Galliani, duke e ngritur këtë ekip në elitën e futbollit italian.
E kur u përball në këtë edicion me ish-klubin e tij, ai u shpreh: “Më dhemb zemra kur humb Milani, shpresoj në një barazim”.
Berlusconi konsiderohet si njëri prej presidentëve më të suksesshëm në histori të futbollit, ndërsa bota e sportit ka nisur ta kujtojë atë dhe ta ngushëllojë familjen e tij, shkruan “Gazeta Express”.
Nën drejtimin e tij, Milani e fitoi 5 herë Ligën e Kampionëve, 8 herë “Scudetton”, 5 herë Superkupën e Evropës, 2 herë Kupën Interkontinentale, 1 herë Botërorin e Klubeve, 6 herë Superkupën e Italisë, 1 herë Kupën e Italisë, pra 29 trofe me “Rossoneri”, dhe një herë e fitoi titullin në Serie B me Monzan.