Rreth pesë hektarë tokë me grurë janë përfshirë nga zjarri në Kopiliq të Skenderajt, mbrëmjen e së dielës. Toka që u mbulua nga flaka u përket vëllezërve të familjes Geci. Ata po dyshojnë që dikush qëllimshëm i ndezi zjarret në arën e tyre. Derisa dje gishtin e drejtuan nga Presidenti Thaçi, sot thonë që këtë punë ia kanë lënë policisë e hetuesisë. Në Polici deklarojnë se rasti po cilësohet si zjarrvënie dhe se hetimet janë duke vazhduar.
Ende nuk po dihet se kush e ndezi zjarrin në tokën e vëllezërve Geci në Kopiliq të Skenderajt. Ata po kanë dyshime se dikush qëllimisht ndezi zjarre në tokën e mbjellë me grurë, por thonë se me ta le të merret Policia.
Një prej vëllezërve Geci i ka thënë Gazetës Express se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth mesnate. Ai thotë se zjarri ishte ndezur njëkohësisht në disa pjesë të arës.
“Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, diku rreth orës 23:30. Disa fqinj këtu e kanë parë flakën e na kanë lajmëruar. Nga Llausha deri këtu në fshatin Kopiliq i Ulët, janë diku rreth 5-6 minuta rrugë, kemi ardhur shpejt. I kemi lajmëruar zjarrëfikësit, të cilët kanë ardh edhe e kanë fikë zjarrin, i cili ishte ndezur njëkohësisht në pesë apo gjashtë vende” ,ka treguar Nehat Geci.
Vëllezërit Geci po dyshojnë që dikush qëllimisht i ka ndezur këto zjarre. Ndonëse thotë se kanë dyshime se kush mund ta ketë bërë, thotë se kanë vendosur që këtë çështje ta lënë në dorë të policisë e hetuesisë.
“Dyshojmë që dikush qëllimisht i ka ndezur këto zjarre. Nuk e si se çfarë njerëz janë këta që e kallin bukën. Edhe pse i kemi disa dyshime se kush mund ta këtë bërë, po ja lëmë policisë e hetuesisë ta kryejnë punën e tyre”, ka thënë Geci për T7.
Ndërkohë, dje vëllau i tij Nebihu ka bërë aludime në adresë të Presidentit Thaci duke thënë se ara ndodhet afër fshatit Burojë.
“Fshati Kopiliq është ngjitë me fshatin Burojë nga vjen edhe Hashim Thaçi”, kishte shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, në Polici thonë se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka deklaruar se rasti është cilësuar si zjarrvënie.
“Rasti është cilësuar si zjarrevenie. Janë djegur diku rreth 5 hektar. Hetimet janë duke vazhduar”, ka thënë ai.