Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar largimin nga komisionet parlamentare të deputetëve: Drita Millaku, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.
Kjo, pasi, këta 3 deputetë kanë ndarë edhe zyrtarisht rrugën me partinë e Albin Kurtit.
Në një prononcim për Indeksonline-n, ajo ka thënë se është procedurë e rregullt që secili grup parlamentar të ketë përfaqësuesit e vet në komisione.
“Në momentin që deputetët tregojnë se janë ndarë me GP-në, atëherë grupi propozon zëvendësimin e tyre. E njëjta gjë do të jetë edhe me zonjën Millaku.
Prandaj, ne vetëm kemi dorëzuar pranë kryesisë së kuvendit, informatën edhe për seancën e radhës të rregullt të bëhet zëvendësimi i deputetëve. Arsyeja pastaj shkon edhe në çështje të mbrojtjes së politikave të Grupit parlamentar. Deputetët në fjalë, nga Komision për buxhet, kanë politika tjera. Kanë treguar orientim tjetër në raport më vendimmarrjen dhe si i tillë nuk përfaqëson qëndrimin e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë ajo.
Më tej, Kusari-Lila shtoi se deputetë janë informuar paraprakisht për vendimin.
“Për korrektësi i kemi informuar paraprakisht dhe kemi treguar këtë për shkak të lëvizjes së tyre jashtë grupit. Me dy deputetët, z. Rrahmani dhe z. Korenica ka pasur bisedë paraprake, janë informuar ndërsa në ndërkohë edhe ka ndodhur edhe largimi i zonjës Millaku në drejtim të LDK-së”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se deputetët Eman Rrahmani e Visar Korenica i janë bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë. Ndërsa, Drita Millaku është bërë pjesë e LDK-së së Lumir Abdixhikut. /Indeksonline/