Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar edhe një herë refuzimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe edhe në territorin e vendit.
Kurti tha se nuk është Qeveria e Kosovës ajo që ka marr vendim për mos-mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por, sipas tij, e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake që paraqet kushtin për mbajtjen e tyre, e që s’është plotësuar.
“Ne kemi pritur një shkëmbim normal të letrave, të kërkesës së tyre, por kjo nuk ka ndodhur. BE nuk ka qenë e lumtur me faktin që unë nuk kam pranuar që gjithçka të përmbyllet përbrenda një letër-shkëmbimi të sugjeruar mes zyrtarëve ndërlidhës”, është shprehur Kurti në konferencë për media.
Tutje, kreu i qeverisë tha se zhvillimet rreth zgjedhjeve të Serbisë nuk do duhej të ndikonin në dialog, teksa shtoi se është lehtësuesi ai që e cakton se kur është momenti i përshtatshëm për një takim të radhës mes dy shteteve.