Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Skenderajin, për të parë nga afër gjendjen në këtë qytet, i cili u godit më së shumti nga vërshimet.
I shoqëruar nga ministrat Armend Mehaj dhe Elbert Krasniqi, Kurti u prit për vizitë nga kryetari i komunës së Skenderajit, Fadil Nura.
Së bashku vizituan fshatin Llaushë, për të parë dëmet e shkaktuara atje.
“Sot me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe me ministrat z.Armend Mehaj dhe z.Elbert Krasniqi, vizituam Llaushën, për të parë afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet, që përveç ekonomitë familjare dhe bujqësia, edhe infrastruktura publike është në gjendje të rëndë, ku në disa zona është vështirësuar qarkullimi dhe furnizimet. Dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe ne fermën e pulave” shkroi Nura në Facebook.
I pari i Skenderajit kërkoi përkrahje nga niveli qendror, për të tejkaluar këtë katastrofë natyrale.
“Familjet e prekura dhe Skenderaj në tërësi, në këtë gjendje çfarë ndodhen pas përmbytjeve, kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahje nga niveli qendror, që të harrohet ajo që ndodhi e të nisim nga e para” përfundoi Nura.