Në vazhdën e aktiviteteve të sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar tri familje përfituese nga thirrja e MAPL-së për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive tek komunitet jo shumicë në Komunën e Pejës.
Fillimisht, kryeministri vizitoi familjen pesë anëtarëshe Palmar nga komuniteti boshnjak e cila, siç tha kryeministri ka pasur shumë nevojë për strehë të qëndrueshme mbi kokë e për banim të dinjitetshëm.
Më pas, vizitoi familjen Hagjijaj, nga radhët e komunitetit rom, e cila gjithashtu kishte nevojë për kushte dhe banim të dinjitetshëm. Aty falënderoi familjen Hagjijaj për mikpritjen dhe punëtorët për punën që e kanë bërë.
Kurse në fshatin Treboviq, vizitoi dhe u takua me shtatët anëtarët e familjes Saku nga komuniteti egjiptian të cilët në muajin dhjetor do të jenë me shtëpi të re.
Tre milionë euro ka qenë buxheti i programit për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteve jo shumicë në komunë këtë vit. Në kuadër të tij në proces të përfundimit të ndërtimit janë 57 shtëpi. Krahas tyre punimet janë duke u zhvilluar edhe për renovimin e 230 shtëpive tjera. Ky program do të vazhdojë edhe me thirrje e dyte vitin tjetër, për të cilën thirrje tashmë është ndarë buxhet në vlerë prej tre milionë euro.