Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se që nga 9 shtatori i këtij viti, në bisedimet me Serbinë ekziston një model në të cilin palët do të mbështeten gjatë negociatave të ardhshme, e që sipas tij, duhet të nisin menjëherë.
Ai tha se në këtë model thuhet se deri në pranverën e vitit 2023, Kosova e Serbia duhet të kenë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
“Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, ka thënë Kurti për Gradska RTV.
Kurti tha se negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bazohen në ofertën e BE-së e cila sipas tij, u mbështet nga Franca dhe Gjermania.
“Në ndërkohë u pajtuam që Kosova të mos vazhdojë me gjoba për veturat me targa të paligjshme KM dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po i japim mundësinë, një hapësirë disamujore, si masë për besimin reciprok, për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”, është shprehur Kurti.