Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim veteranët e UÇK-së për sot në orën 09:00.
Kurti gjatë ditës së djeshme tha se do ta anulojë shkuarjen në Forumin e Prespës për të mbajtur takim me veteranët dhe për të diskutuar në lidhje me pagën minimale.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan dje në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj miratimit në parim të Projektligjit për pagën minimale në Kuvend, më 14 qershor, që nuk përfshin rritjen e pensioneve edhe për veteranët.
Më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Projektligji, nuk e lidh më pagën minimale me vlerën e pensionit të veteranëve të luftës, siç ka qenë në të kaluarën.
Përfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale e ka kërkuar opozita. Ata kanë refuzuar ta vazhdojmë seancën e djeshme të Kuvendit, me pretendimin se nuk ka kushte normale derisa veteranët po protestojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës si formë kundërshtimi ndaj vendimit për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagë minimale.