Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ne ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se Kurti e informoi Lajçakun, me mbarëvajtjen e reformave të nisura në ekonomi edhe në drejtësi.
Gjithashtu ai i tregoi edhe për prioritetet e Qeverisë për sundimin dhe përpjekjet për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, e për të garantuar drejtësi për të gjithë qytetarët.
E në këtë takim u diskutua edhe për procesin e dialogut.
“U bisedua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel, për dialog parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, u bë e ditur se në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri ka potencuar mbështetjen e fuqishme për procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal.
“Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE, për mbështetjen për vendin tonë, si dhe për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.