Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, sot ka takuar raportuesin special të Kombeve të Bashkuara, Fabian Saviolin.
Temë e këtij takimi ishte angazhimi i Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nismat për drejtësi tranzicionale.
Savioli shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, po ashtu shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës.
Kurti theksoi përkushtim për ballafaqim me të kaluarën dhe se na duhet rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, sepse është shumë e vështirë për familjet që të vazhdojnë një jetë normale.
“Ai veçoi disa nga nismat e Qeverisë së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Po ashtu foli edhe për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale, të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë për raste të krimeve të luftës, duke qenë se shumica e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë ndodhen në Serbi dhe Serbia refuzon t’i dorëzojë ata para drejtësisë.
Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë”, thuhet në komunikatë.