Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim nënkryetarin e Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu.
Përmes një komunikate për media, nga zyra e kryeministrit, thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar për brengat dhe shkeljet që i përjetojnë pakica shqiptare në Serbi.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Shqiprim Musliu, njëherësh nënkryetar i Komunës së Bujanocit. Në takim u bisedua për brengat dhe shkeljet, të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë pakica shqiptare në Serbi, për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë”, thuhet në komunikatë.
Njëherit, Kurti ka njoftuar Musliun lidhur me zhvillimet e fundit në veri, kryesisht për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Kryeministri Kurti njoftoi nënkryetarin Musliu me zhvillimet e fundit në vend dhe situatën e sigurisë, veçanërisht pas sulmit terrorist, paramilitar dhe kriminal mbi Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit, ku në krye të detyrës ra rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet tutje.
Kurti dhe Musliu u dakorduan për komunikim të rregullt dhe koordinim të vazhdueshëm për çështje me interes për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.