Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për marrëveshjen hekurudhore Kosovë-Serbi që u nënshkrua sot nga dy presidentët Thaçi dhe Vuçiq.
Kurti përmes një statusi në Facebook ka thënë se i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të qeverisë sonë.
Ai tutje u shpreh se që nga formimi i qeverisë zyrtarët që i ka autorizuar ish ministri Pal Lekaj për këtë marrëveshje nuk kanë marrë autorizim të qeverisë së re pas 3 shkurtit, transmeton Indeksonline
Më poshtë postimi i plotë:
Sot në Berlin janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.
Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së.
Për më tepër, nëse bazohemi te një verzion i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e levërdishme sesa ajo për Merdare.
Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet.