Kryeministri i vendit, Albin Kurti do të raportojë sot në Kuvend, për zhvillimet e djeshme në veri, ku tre policë të Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe.
Opozita ka kërkuar që Kurti të raportojë sot në Kuvend për këto zhvillime dhe situatën e sigurisë në vend, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka bërë të ditur se Kurti do të vijë për të raportuar në Kuvend në orën 17:30.
Kryeministri Albin Kurti, sot gjatë një konference për media, tha se rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë e hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin dhe intencë për eksalim e destabilizim në kohën kur, siç tha Kurti Qeveria propozoi planin 5 pikësh për shtensionim të situatës.
Kurti tha se është e habitshme heshtja e faktorëve ndërkombëtarë karshi veprimeve të Serbisë, teksa u shpreh se kjo nuk i kontribuon drejtësisë.
“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin dhe intencë për eksalim e destabilizim në kohën kur ne kemi propozuar planin 5 pikësh.
Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime motive dhe apetite. Nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çka është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për destabilizim e eskalim, e kur nuk ka atëherë është e gatshme dhe sigurisht e aftë ti krijojë ato. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është dëshmia më e qartë dhe më e freskët për këtë”, u shpreh Kurti.