Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e rënduar nga dëmet që shkaktuan vërshimet si pasojë e reshjeve të pandërprera në disa komuna të vendit.
Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, Kurti ka thënë se Qeveria do të qëndrojë pranë komunave, familjeve, bizneseve e qytetarëve nga zonat e prekura.
“Ndihma nga qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva bashkë do të ngritën”, është shprehur Kurti.
Tutje, shefi i Qeverisë tha se derisa do të punojnë për të sanuar dëmet e shkaktuara, duhet të merren edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve.
“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksplantimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhës, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim që i kanë ndihmuar, shpejtuar, shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona”, është shprehur Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se duhet edhe hetim për veprimet, sipas tij, të jashtëligjshme në dëm të ekosistemit, teksa shtoi se nuk mjafton rimëkëmbja nëse nuk nxirren mësime.