Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Luan Haradinajn në 23-vjetorin e vdekjes së tij, ku ra heroikisht në Qafëmullar.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Luan Haradinaj është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
” Luan Haradinaj është edhe figura e përkryer e viteve ’90. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, sa herë që vinte prej Tiranës, nuk mund të kthehej sërish atje pa kryer së paku një aksion kundër forcave pushtuese serbe. Numri i aksioneve individualë të Luanit qe tashmë dyshifror”, ka shkruar Kurti.
Ai tha se ” Ai ra dëshmor ndërsa ishte ende student; figurë e luftëtarit që mbetet përjetshëm i tillë; çereku i shekullit që përmbushet lavdishëm”.
Ky është postimi i plotë:
Luan Haradinaj është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është po ashtu edhe një prej themeluesve të mbështetjes logjistike të ardhur prej Republikës së Shqipërisë. Luan Haradinaj me veprimtarinë e tij të armatosur kundër pushtuesit, mbajti të ndezur të vërtetën e rezistencës që përshkon popullin tonë.
Por, Luan Haradinaj është edhe figura e përkryer e viteve ’90. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, sa herë që vinte prej Tiranës, nuk mund të kthehej sërish atje pa kryer së paku një aksion kundër forcave pushtuese serbe. Numri i aksioneve individualë të Luanit qe tashmë dyshifror.
Ai është studenti-luftëtar që ka mbajtur gjallë dhe lavdishëm Kosovën. Ai ra dëshmor ndërsa ishte ende student; figurë e luftëtarit që mbetet përjetshëm i tillë; çereku i shekullit që përmbushet lavdishëm.
Më 6 maj 1997, Luan Haradinaj, teksa vinte prej Shqipërisë mes bashkëluftëtarëve Fehmisë, Xhevës, Abedinit dhe luftëtarëve të tjerë, ra në pritë në Qafëmullar. Dhe atë ditë u nda prej nesh. Rexhep Selimi ka dhënë përkufizimin poetik për heroin Luan Haradinaj:
Mbi ta u murose urë
pushove hapërimin
ta vigjëlosh dheun
mbi atë gur./