Në ditën e 25-vjetorit të përfundimit të fushatës së NATO-s që ndali spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe në kuadër të nisjes së aktiviteteve në shënimin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair.
Para këtij takimi, ish-kryeministri Blair u mirëprit në një seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Fillimisht, kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar dhe Blair për ndihmën dhe kontributin në çlirimin e Kosovës, rolin e tij të rëndësishëm dhe mbështetjen e palëkundur gjatë luftës në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e vendit nga pushtuesit serb dhe përkrahjen në etapat e shtetndërtimit të vendit tonë.
Në kumtesën për media, kryeministri shtoi se është i nderuar të mirëpresë Tony Blair sot, ku shtoi se udhëheqja dhe vendosmëria e tij ishin vendimtare në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe për të siguruar që drejtësia dhe paqja të mbizotërojnë.
“Populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe”, u shpreh kryeministri.
Së bashku, ata kujtuan ngjarjet e rëndësishme që kulmuan me lirinë e Kosovës, duke diskutuar vendimet dhe veprimet kritike të marra gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, të cilat ishin kyçe në përfundimin e luftës dhe sigurimin e paqes.
Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me ç’rast Kryeministri e njoftoi me progresin e arritur, duke theksuar se Kosova është demokracia më e përparuar e rajonit dhe me rritjen më të madhe ekonomike.
Pastaj, kryeministri Kurti ka shkruar edhe në Facebook duke i kujtuar fjalët e Blairit në kohën kur ndodhën bombardimet.
“Ne duhet të veprojmë: të shpëtojmë mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm nga katastrofa humanitare, nga vdekja, barbarizmi dhe spastrimi etnik nga një diktaturë brutale; për të shpëtuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ku e dimë se kaosi mund të përfshijë të gjithë Evropën.” Kjo ishte thirrja e atëherë kryeministrit britanik Tony Blair, më 23 mars 1999, e cila jehoi në Parlamentin e Britanisë së Madhe. Të nesërmen e 24 marsit 1999, NATO do të fillonte fushatën që ndali pikërisht spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, fushatë kjo që do të përfundonte më 10 qershor të po atij viti.